Qendrore

RREZIK SERIOZ NË RRUGËN MAGJISTRALE ZHUR – DRAGASH, MBI VENDIN E NJOHUR SI “LAKU I KEQ”

23.06.2026. 2 min čitanja

  Segmenti rrugor në magjistralen Zhur – Dragash, pak mbi vendin e njohur si “Laku i Keq”, prej një kohe të gjatë ka pësuar rrëshqitje të konsiderueshme të dheut dhe dëmtime të asfaltit, duke u shndërruar në një rrezik serioz për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.   Pamjet e siguruara së fundmi tregojnë qartë gjendjen e rënduar të kësaj pjese të rrugës, ku dëmtimet vazhdojnë të përkeqësohen nga dita në ditë. Duke qenë se kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të qarkullimit për banorët e Komunës së Dragashit, mosndërhyrja e menjëhershme mund të ketë pasoja të rënda dhe të rrezikojë jetën e qytetarëve.   Përmes këtij publikimi u bëjmë thirrje urgjente institucioneve qendrore përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe sanimin e rrugëve magjistrale që të ndërmarrin masa të menjëhershme për vlerësimin dhe sanimin e këtij segmenti rrugor.   Po ashtu, kërkojmë reagim dhe angazhim edhe nga institucionet lokale, në mënyrë që çështja të trajtohet me prioritet dhe të ushtrohet presion institucional për zgjidhjen e problemit para se të ndodhë ndonjë tragjedi.   Njëkohësisht apelojmë tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë shpejtësinë e lejuar dhe të jenë të vëmendshëm gjatë kalimit në këtë pjesë të dëmtuar të rrugës.   Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet dhe veprimi nuk duhet të presë derisa të ndodhë më e keqja.

/Dragash Info/