Pas barazimit në Austri, Denis Baxhaku: “Mbeta i pamposhtur, ndeshjen tjetër do të jem tjetër boksier”
Boksieri nga Bellobradi i Opojës, Denis Baxhaku, ka reaguar pas ndeshjes së zhvilluar mbrëmë në Austri, ku sfida e tij përfundoi me rezultat të barabartë. Në një mesazh falënderues drejtuar familjarëve, miqve dhe mbështetësve të tij, Baxhaku shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se megjithëse nuk arriti fitoren, ai mbeti i pamposhtur. “Përshëndetje të gjithëve. Fatkeqësisht dje nuk ia dola të fitoj, por gjithsesi mbeta i pamposhtur me një barazim. Faleminderit të gjithëve për mesazhet dhe mbështetjen”, ka shkruar ai. Boksieri opojar falënderoi në veçanti dajën e tij, i cili kishte udhëtuar nga Kosova për ta mbështetur në këtë sfidë, si dhe mbështetësit e tij të vazhdueshëm, Demo Ba dhe familjen e tij nga DKB BAU, Dinor Bytyqin nga DB-Brandschutz, si dhe menaxherin e tij dhe organizatorët e Lewis Boxing Promotions për besimin dhe investimin në karrierën e tij. Në fund të mesazhit, Baxhaku dha një premtim për tifozët e tij: “Ndeshjen tjetër do të jem tjetër njeri, tjetër boksier. Ju premtoj.”Pavarësisht se nuk arriti fitoren, paraqitja e Denis Baxhakut në arenën ndërkombëtare të boksit mbetet një arritje e rëndësishme dhe një krenari për Opojën, Dragashin dhe Kosovën. /Dragash Info/