Skandal në Gjermani! Armend Xhoxhajt i mohohet fitorja, meçi mbyllet në barazim
MAGDEBURG, Gjermani – Boksieri prizrenas, Armend Xhoxhaj, ka qenë protagonist i një prej dueleve më të diskutueshme të mbrëmjes së kaluar në Magdeburg të Gjermanisë. Në përballjen e vlefshme për renditjen e WBO-së, Xhoxhaj zhvilloi një meç të fortë ndaj gjermanit Roman Fress, duke u shfaqur më aktiv, më agresiv dhe duke lënë përshtypjen se kishte bërë mjaftueshëm për të siguruar fitoren. Megjithatë, pas përfundimit të duelit, gjyqtarët vendosën që meçi të mbyllej në barazim, një vendim që ka nxitur reagime dhe debat mes tifozëve të boksit. Pamjet pas meçit kanë tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Ndërsa kundërshtari shihej i zhgënjyer, Xhoxhaj ngriti duart lart, i bindur se kishte fituar përballjen. Shumë sportdashës vlerësojnë se boksieri shqiptar meritonte më shumë nga ky duel dhe se rezultati nuk pasqyroi plotësisht atë që u pa në ring. Pavarësisht vendimit zyrtar, Xhoxhaj largohet nga Magdeburgu me respektin e publikut dhe me një paraqitje që konfirmon edhe një herë cilësitë e tij në arenën ndërkombëtare. Ndryshe, Xhoxhaj kishte triumfuar ndaj të njëjtit kundërshtar në përballjen e zhvilluar dy vite më parë. /Dragash Info/