Komuna e Dragashit siguron 205 mijë euro grant për zgjerimin e rrugës Rrenc – Lapidari
Komuna e Dragashit ka siguruar edhe një projekt të ri përmes Grantit të Performancës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se sot në ambientet e MAPL-së ka nënshkruar projektin e 12-të të Grantit të Performancës, me vlerë prej 205,000 euro. Sipas tij, këto mjete do të investohen në realizimin e projektit “Zgjerimi i Rrugës Rrenc deri te Lapidari”, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit në këtë zonë. Me këtë rast, kryetari Xheladini ka falënderuar stafin e Grantit të Performancës në MAPL për profesionalizmin, bashkëpunimin dhe angazhimin e treguar gjatë gjithë procesit të aplikimit dhe realizimit të projektit.