Kulturë
Edicioni i 8-të i Festivalit Ballkanik të Folklorit “Opoja Vallëzon” mbahet më 24, 25 dhe 26 korrik në Bresanë
DRAGASH – Fshati Bresanë do të jetë sërish qendër e kulturës dhe folklorit ballkanik, pasi më 24, 25 dhe 26 korrik, duke filluar nga ora 19:00, do të mbahet edicioni i tetë i Festivalit Ballkanik të Folklorit të Vallëve “Opoja Vallëzon”. Ky është viti i katërt që festivali organizohet me karakter ndërkombëtar ballkanik, duke mbledhur ansamble folklorike nga vende të ndryshme. I kthyer tashmë në një traditë të rëndësishme kulturore në Komunën e Dragashit, festivali ka për synim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë folklorike, fuqizimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet vendeve pjesëmarrëse dhe prezantimin e vlerave autentike të folklorit para publikut vendas dhe ndërkombëtar. Festivali organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, nga Shoqëria Kulturo-Artistike “Bresana”, në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Përgjatë tri netëve të festivalit, oborri i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “28 Nëntori” në Bresanë do të shndërrohet në një skenë të pasur artistike, ku ansamblet pjesëmarrëse do të prezantojnë valle tradicionale, këngë dhe elemente të trashëgimisë kulturore të vendeve që përfaqësojnë. Në edicionin e sivjetmë do të marrin pjesë ansamble nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Qiproja Veriore, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Polonia, Kroacia dhe Arbëreshët e Italisë, duke i dhënë festivalit një dimension të gjerë ndërkombëtar dhe duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbim kulturor. Me rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes dhe interesimit ndërkombëtar, “Opoja Vallëzon” po konsolidohet si një nga festivalet më të rëndësishme folklorike në rajon, duke promovuar kulturën, identitetin dhe traditat e popujve përmes artit dhe folklorit. Festivali pritet të mbledhë qindra vizitorë, artistë dhe dashamirë të folklorit, duke e shndërruar Bresanën në një pikëtakim të kulturave dhe traditave ballkanike.