Lokale

Një shembull për t’u ndjekur: 15-vjeçari nga Dragashi gjen kuletë me para dhe e dorëzon në Polici

22.06.2026. 2 min čitanja

Dragash, 22 qershor 2026 – Një gjest i rrallë ndershmërie dhe qytetarie është shënuar ditët e fundit në komunën e Dragashit, ku një fëmijë 15-vjeçar ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente, të cilën e ka dorëzuar menjëherë në Policinë e Kosovës.   Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 18 qershor 2026, rreth orës 19:00, i mituri po lëvizte me biçikletë në rrugën Dragash–Brod, afër fshatit Kukajan, kur hasi në një kuletë të humbur. Brenda saj ndodheshin dokumente personale dhe para në vlerë prej 153 eurosh.   Pa hezituar, ai e dorëzoi kuletën në Stacionin Policor në Dragash. Falë dokumenteve të gjetura në kuletë, policia arriti të identifikojë pronarin dhe ta kontaktojë atë.   Një ditë më vonë, më 19 qershor, personi që kishte humbur kuletën u paraqit në stacionin policor dhe mori sendet e tij, duke falënderuar si fëmijën për ndershmërinë e treguar, ashtu edhe Policinë e Kosovës për angazhimin e saj.   Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart këtë veprim, duke theksuar se ai përfaqëson vlera të rëndësishme si ndershmëria, përgjegjësia dhe bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet e rendit.   Ky rast është një shembull i mirë që dëshmon se vlerat e mira qytetare vazhdojnë të kultivohen edhe te gjeneratat e reja në komunën e Dragashit.   /Dragash Info/