Lokale

Një burrë gjendet pa shenja jete në Restelicë të Dragashit, Policia ka nisur hetimet

05.07.2026. 2 min čitanja

Dragash – Një burrë është gjetur pa shenja jete pasditen e së shtunës në fshatin Restelicë, në komunën e Dragashit.   Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 17:50, pasi një zyrtar policor ka njoftuar për një person të gjetur pa shenja jete në një zonë pyjore të fshatit Restelicë.   Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i Emergjencës, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.   Sipas informacioneve fillestare, viktima është një burrë rreth 68 vjeç. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, ekzistojnë dyshime fillestare se bëhet fjalë për një rast vetëvrasjeje, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore.   Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.   Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti.   /Dragash Info)