Banorët e Opojës kundërshtojnë planifikimin e pikës së grumbullimit të mbeturinave pranë Memorialit të Dëshmorit Abdurrahman Gërdellaj
Banorë dhe qytetarë të krahinës së Opojës, që jetojnë dhe veprojnë në diasporë dhe në Kosovë, kanë dalë me një reagim publik duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj iniciativës për vendosjen e një pike të re të grumbullimit të mbeturinave në afërsi të Memorialit të Dëshmorit Abdurrahman Gërdellaj, në fshatin Rrenc. Në reagim thuhet se ata mbështesin plotësisht qëndrimin e banorëve të fshatrave Rrenc dhe Brrut, duke theksuar se memorialet e dëshmorëve janë vende nderimi, respekti dhe kujtese kombëtare, ndaj është e papranueshme që pranë tyre të planifikohet një projekt i tillë, i cili, sipas tyre, cenon dinjitetin e këtyre hapësirave. Po ashtu, ata shprehin kundërshtimin edhe ndaj mundësisë që një pikë e tillë të vendoset në zonën e Trokonit, në fshatin Brrut, duke vlerësuar se një lokacion i tillë do të ndikonte negativisht në mjedis, në cilësinë e jetës së banorëve dhe në vlerat natyrore e historike të gjithë Opojës. Në fund të reagimit, qytetarët u bëjnë thirrje Komunës së Dragashit dhe të gjithë vendimmarrësve që ta rishqyrtojnë këtë iniciativë dhe të gjejnë alternativa të tjera, në konsultim me ekspertë të mjedisit dhe organizata të specializuara evropiane, me qëllim që të mbrohen mjedisi, shëndeti publik dhe trashëgimia historike e zonës. Reagimi i plotë: “Ne, banorë dhe qytetarë të Opojës, që jetojmë dhe veprojmë në diasporë dhe brenda Kosovës, shprehim kundërshtimin tonë të fuqishëm dhe mbështesim qytetarët e fshatit Rrenc dhe të fshatit Brrut ndaj iniciativës për vendosjen e pikës së re të grumbullimit të mbeturinave në afërsi të Memorialit të Dëshmorit Abdurrahman Gërdellaj, në fshatin Rrenc. Memorialet e dëshmorëve janë vende nderimi, respekti dhe kujtese kombëtare. Është e papranueshme që pranë tyre të planifikohet një projekt i tillë, i cili cenon dinjitetin e këtyre hapësirave. Po ashtu, kundërshtojmë që një pikë e tillë të vendoset edhe në zonën e Trokonit, në fshatin Brrut, pasi një lokacion i tillë do të dëmtonte mjedisin, jetën e banorëve dhe vlerat historike e natyrore të Opojës. I bëjmë thirrje Komunës së Dragashit dhe të gjithë vendimmarrësve që ta rishqyrtojnë këtë iniciativë dhe të gjejnë zgjidhje të tjera, në konsultim me ekspertët përkatës të mjedisit dhe organizatat evropiane, në mënyrë që të mbrohen interesi publik, natyra dhe trashëgimia historike e Opojës.” /Dragash Info/