Qendrore

Ndërkombëtarët evidentojnë shkelje në procesin ndaj çlirimtarëve, Qeveria hesht

02.05.2026. 2 min čitanja

Raporti i publikuar nga Bar Human Rights Committee of England and Wales ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, pasi evidenton një sërë shkeljesh të pretenduara në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga publikimi i këtij raporti, institucionet më të larta të vendit nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim të qartë publik. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk kanë komentuar drejtpërdrejt mbi gjetjet e raportit. Në një përgjigje të mëhershme në Kuvend, Kurti kishte theksuar se Qeveria i trajton me seriozitet të gjitha shqetësimet që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut, duke shtuar se komunikimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe i strukturuar. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje konkrete nëse këto shqetësime janë adresuar tek shtetet që financojnë Dhomat e Specializuara. Raporti në fjalë ka ngjallur reagime të shumta në vend. Organizatat e dala nga lufta, përfaqësues politikë dhe akterë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka deklaruar se ky raport konfirmon shqetësimet e tyre të kahershme për trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje shteteve financuese të Gjykatës Speciale dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos heshtin përballë këtyre gjetjeve. Pas prezantimit të raportit në Prishtinë, është kërkuar që institucionet e Kosovës të jenë më aktive dhe transparente në mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, si dhe të ngritin këtë çështje në nivel ndërkombëtar. — Dragash Info