KQZ drejt krizës së besimit, akuza për “kapje institucionale” nga anëtari i PDK-së
KQZ drejt krizës së besimit, akuza për “kapje institucionale” nga anëtari i PDK-së Prishtinë – Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në këtë institucion, duke akuzuar për ndërhyrje politike dhe deformim të rendit institucional. Sipas Gashit, mos-emërimi i anëtarit të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës nga ana e Presidentes Vjosa Osmani nuk përbën vetëm shmangie nga përgjegjësia kushtetuese, por një akt të qëllimshëm që synon përjashtimin e opozitës nga një organ kyç zgjedhor. Ai thekson se situata po përkeqësohet edhe më tej me veprimet e ushtrueses së detyrës, Albulena Haxhiu, për të cilën pretendon se mund të propozojë një kandidat që pritet të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me qëllim krijimin e një vakumi institucional dhe futjen e vendit në zgjedhje pa përfaqësimin e plotë të PDK-së në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Kjo është kapje e pastër dhe brutale e KQZ-së nga pushteti. Presioni, shantazhi dhe kërcënimet tashmë po shfaqen publikisht,” ka deklaruar Gashi. Ai ka shtuar se në këto rrethana, KQZ-ja rrezikon të humbasë rolin e saj si garant i zgjedhjeve të lira dhe të shndërrohet në një instrument të manipulimit politik. Sipas tij, çdo proces zgjedhor i organizuar në këtë formë do të jetë i komprometuar që në nisje dhe do të përbëjë goditje të drejtpërdrejtë ndaj vullnetit të qytetarëve dhe vetë demokracisë. — Dragash Info