Opozita kritikohet për qasjen ndaj Kurtit, kërkohet ndryshim strategjie para zgjedhjeve
Opozita kritikohet për qasjen ndaj Kurtit, kërkohet ndryshim strategjie para zgjedhjeve Në prag të zhvillimeve të reja politike dhe mundësisë për zgjedhje të parakohshme, po shtohen zërat kritikë ndaj qasjes së opozitës parlamentare në raport me kryeministrin Albin Kurti. Sipas një reagimi publik nga Azdren Shala, përvoja e deritanishme ka treguar se gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten. Ai thekson se mësimi kryesor është i qartë: me Kurtin nuk negociohet, por duhet përballje e drejtpërdrejtë politike deri në fund. Shala vlerëson se takimet e zhvilluara pas 28 dhjetorit me kryeministrin kanë qenë gabim serioz, pasi sipas tij, ato kanë ndikuar në “rehabilitimin” e figurës së Kurtit, duke i dhënë mundësinë të paraqitet si lider demokrat dhe konstruktiv. Ai shprehet se përballja me figura të tilla politike nuk është e lehtë dhe kërkon përgatitje serioze, duke shtuar se pa një strategji të qartë dhe pa gatishmëri për betejë politike, nuk mund të ketë ndryshim real në vend. Sipas tij, nëse vazhdohet me të njëjtën qasje, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje sa herë që i konvenon kryeministrit, ndërsa krizat do të përdoren si instrument politik për interesa të ngushta. Në fund, ai thekson se historia ka dëshmuar se me liderë autoritarë nuk negociohet dhe se kjo, sipas tij, po konfirmohet edhe nga zhvillimet aktuale në vend. — Dragash Info