Qendrore

Dështon procedimi i shkarkimit të Komisionit të Jurisprudencës, përplasje e ashpër pozitë–opozitë

21.04.2026. 2 min čitanja

Dështon procedimi i shkarkimit të Komisionit të Jurisprudencës, përplasje e ashpër pozitë–opozitë   Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës ka nxitur debat të ashpër në Komisionin për Legjislacion, ku përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës janë përplasur lidhur me ligjshmërinë dhe arsyetimin e këtij veprimi.   Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, ka propozuar që çështja e shkarkimit të komisionit të futet në rend dite, duke theksuar se situata aktuale ka krijuar bllokadë për kandidatët.   Ai deklaroi se për më shumë se një vit nuk është mbajtur asnjë provim i jurisprudencës, duke e cilësuar të domosdoshëm funksionalizimin e një komisioni të ri.   Në anën tjetër, anëtari i komisionit nga AAK, Besnik Tahiri, ka kundërshtuar ashpër këtë qasje, duke ngritur dilema mbi bazën ligjore të shkarkimit.   Sipas tij, nuk ka logjikë të shkarkohet një komision që ende ka mandat dhe është funksional.   “Është absurd të krijohet një komision i ri, kur ekziston një tjetër me mandat të vlefshëm dhe në ushtrim të detyrës,” u shpreh Tahiri.   Kritika edhe më të ashpra ka pasur nga kryetari i komisionit nga PDK, Përparim Gruda, i cili e cilësoi veprimin si të papranueshëm në një sistem demokratik.   Ai deklaroi se shkarkimi i një komisioni të mandatuar pa arsye individuale është praktikë që, sipas tij, ndodh vetëm në sisteme jodemokratike.   Megjithatë, për shkak të mos pjesëmarrjes së opozitës në votim, propozimi për të futur këtë çështje në rend dite nuk arriti të miratohet, duke e lënë situatën të pazgjidhur për momentin.   Debati për këtë çështje pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa mbetet e paqartë se si do të zgjidhet ngërçi institucional që po pengon mbajtjen e provimit të jurisprudencës.   — Dragash Info