Jashtë Kryesisë së re të LDK-së, reagon Arben Gashi: Partisë i duhet lidership dhe energji e re
Jashtë Kryesisë së re të LDK-së, reagon Arben Gashi: Partisë i duhet lidership dhe energji e re Prishtinë – Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar publikisht pasi nuk është përfshirë në përbërjen e re të Kryesisë së partisë, të emëruar nga kryetari Lumir Abdixhiku. Në reagimin e tij, Gashi ka bërë të ditur se prej kohësh ka ngritur shqetësime brenda strukturave të Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me gjendjen në parti dhe humbjen e besimit të brendshëm, duke propozuar edhe masa konkrete për reformim. “Kam folur hapur për problemet dhe kam propozuar veprime konkrete për një moment të ri politik, por këto propozime nuk gjetën përkrahje në votim, edhe pse realiteti u pranua në fjalë”, ka deklaruar ai. Sipas Gashit, ekziston një hendek i theksuar mes LDK-së dhe elektoratit, gjë që sipas tij është pasojë e mungesës së guximit për ndryshime në kohë. “Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë. Një cikël politik ka përfunduar”, theksoi ai. Ai shtoi se partisë i nevojitet një qasje e re, me lidership të ri dhe energji të freskët, për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një vizion të qartë politik. “LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike”, u shpreh Gashi. Në fund të reagimit, ai theksoi se do të vazhdojë angazhimin e tij politik në mbështetje të parimeve dhe votuesve, duke lënë të hapur pyetjen nëse LDK-ja do të arrijë të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme. — Dragash Info