Finalizohet numërimi i votave në nivel vendi, Vetëvendosje prin me 42.91%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur në 100 për qind procesi i numërimit të votave në nivel vendi për zgjedhjet e fundit. Sipas rezultateve të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forca e parë politike me 42.91 për qind të votave, duke grumbulluar gjithsej 299,152 vota. Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.12 për qind ose 147,220 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 17.58 për qind të votave, përkatësisht 122,575 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) renditet e katërta me 7.16 për qind, duke marrë 49,917 vota. Pas përfundimit të numërimit në nivel vendi, procesi zgjedhor hyn në fazën e numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), nga ku do të dalin rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. /Dragash Info/