Dëmtimi i gardhit rrezikon projektin për mbrojtjen nga ortekët në Restelicë
RESTELICË – Përfaqësues të Komunës së Dragashit, donatorë dhe kryetari në dorëheqje i fshatit Restelicë, Hikmet Xhindxho, kanë vizituar zonën ku janë mbjellë fidanë në kuadër të projektit për mbrojtjen nga ortekët dhe rehabilitimin e një hapësire që në të kaluarën ka paraqitur rrezik për banorët. Gjatë vizitës në terren është konstatuar se gardhi mbrojtës i vendosur për ruajtjen e fidanëve është dëmtuar, duke mundësuar hyrjen e bagëtive në zonën e mbrojtur. Si pasojë, një pjesë e fidanëve të mbjellë kanë pësuar dëmtime, duke rrezikuar rezultatet e projektit dhe investimin e bërë në këtë lokacion. Sipas informacioneve nga terreni, dëmtimi i gardhit dhe hyrja e pakontrolluar e bagëtive po paraqesin pengesë serioze për zhvillimin e fidanëve, të cilët konsiderohen të rëndësishëm për stabilizimin e terrenit dhe zvogëlimin e rrezikut nga ortekët në të ardhmen. Përfaqësuesit e përfshirë në projekt kanë bërë thirrje për ruajtjen e infrastrukturës mbrojtëse dhe për kujdes më të madh ndaj kësaj zone, duke theksuar se mbrojtja e investimeve të tilla është në interes të gjithë komunitetit. /Dragash Info/