Kulturë

Festivali Folklorik “Hasi Jehon 2026” sjell tri ditë magjike kulturore në Gjonaj

15.04.2026. 2 min čitanja

Festivali Folklorik “Hasi Jehon 2026” sjell tri ditë magjike kulturore në Gjonaj   Gjonaj, Has – Në fillim të muajit maj, treva e Hasit do të jetë në qendër të kulturës dhe traditës shqiptare me organizimin e Festivalit Folklorik “Hasi Jehon 2026”. Ky aktivitet i rëndësishëm kulturor do të mbahet më 1, 2 dhe 3 maj në Gjonaj, duke mbledhur ansamble dhe grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.   Festivali do të hapet më 1 maj në ora 18:30 me një ceremoni solemne, ku do të performojnë grupe të njohura si SHKA “Malësori” nga Gjonaj, SHKA “Përparim Tomcini” nga Peshkopia, si dhe ansamble nga Shkupi, Tuzi, Vlora dhe Belshi. Mbrëmja e parë pritet të sjellë një atmosferë të pasur me valle dhe këngë tradicionale nga vise të ndryshme.   Dita e dytë, më 2 maj, po ashtu nga ora 18:30, do të vazhdojë me pjesëmarrjen e grupeve nga Krusha e Madhe, Kamenica, Mirëdita, Zymi, Berati, Korça dhe Bresana, duke dëshmuar larminë dhe pasurinë e folklorit shqiptar.   Ndërsa nata përmbyllëse, më 3 maj, do të kulmojë me performanca nga ansamble të njohura si “Rugova” nga Peja (mysafir për përshëndetje), “Mati” nga Burreli, “Bajram Curri” nga Prishtina, si dhe grupe të tjera nga Deçani, Gostivari, Shtimja dhe Kruma. Mbyllja e festivalit do t’i besohet organizatorit, SHKA “Malësori” nga Gjonaj.   Festivali “Hasi Jehon” tashmë është shndërruar në një traditë të rëndësishme kulturore, duke promovuar trashëgiminë shpirtërore dhe duke bashkuar artistë e dashamirë të folklorit nga mbarë hapësira shqiptare.   Ky organizim pritet të tërheqë një numër të madh vizitorësh dhe të kontribuojë në promovimin e vlerave kulturore dhe turistike të Hasit.   — Dragash Info