Lokale

VV në Sharr mbështet banorët e Rrencit: Të rishqyrtohet projekti i deponisë së mbeturinave

11.07.2026. 2 min čitanja

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr ka shprehur mbështetjen e plotë për banorët e fshatit Rrenc dhe kërkesat e tyre lidhur me kundërshtimin e ndërtimit të një deponie të mbeturinave në afërsi të vendbanimit.   Përmes një reagimi publik, kjo qendër ka bërë të ditur se, pas reagimeve të banorëve, peticionit të nënshkruar dhe takimit me përfaqësuesit e Kryesisë së fshatit, vlerëson se shqetësimet e ngritura janë të bazuara dhe meritojnë trajtim serioz nga institucionet komunale.   Sipas VV-së, asnjë projekt që prek drejtpërdrejt jetën, shëndetin, mjedisin dhe të ardhmen e një komuniteti nuk duhet të procedohet pa konsultim të mirëfilltë me qytetarët, duke theksuar se respektimi i zërit të banorëve është detyrim institucional dhe parim themelor i qeverisjes demokratike.   Në reagim, Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka bërë thirrje Kryetarit të Komunës së Dragashit dhe ekzekutivit lokal që të vazhdojnë dialogun me banorët dhe të shmangin polemikat në rrjetet sociale, duke theksuar se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të trajtohen me përgjegjësi.   Po ashtu, është kërkuar rishqyrtimi i mjeteve të planifikuara për këtë projekt, duke pasur parasysh se ato janë nga Granti i Performancës dhe, sipas VV-së, ende mund të ridestinohen për projekte të tjera në interes të qytetarëve.   Një tjetër kërkesë e kësaj force politike është edhe rishikimi i lokacionit të planifikuar për ndërtimin e deponisë, duke marrë parasysh kërkesën e banorëve dhe faktin se lokacioni i propozuar ndodhet rreth 300 metra larg zonës së banuar.   Në fund të reagimit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr ka theksuar se do të jetë në përkrahje të çdo kërkese të drejtë qytetare që synon mbrojtjen e shëndetit publik, mjedisit dhe interesit të përgjithshëm, duke shtuar se qeverisja e mirë ndërtohet mbi dialogun, transparencën dhe respektin për qytetarin. / Dragash Info /