VV në Sharr: Hetimet të shkojnë deri te të gjithë përgjegjësit për rastin e arrestimit të zyrtarit komunal
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Sharr ka reaguar pas arrestimit të një shërbyesi civil të Komunës së Dragashit, i identifikuar me inicialet F.N., i cili po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë në bashkëkryerje”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në reagimin e saj, VV e cilëson rastin si një çështje serioze që, sipas tyre, ngre dyshime për mënyrën e funksionimit të administratës komunale gjatë viteve të fundit të qeverisjes lokale. Sipas këtij subjekti politik, hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm në rastin aktual, por duhet të shtrihen në të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë institucionale, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe përgjegjësive eventuale. VV në Sharr ka kërkuar gjithashtu që organet e drejtësisë të trajtojnë me seriozitet edhe rastet e tjera të dorëzuara më herët, të cilat lidhen me dyshime për keqpërdorime, shkelje ligjore dhe korrupsion në Komunën e Dragashit. Nga kjo parti theksohet se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe se qytetarët meritojnë institucione transparente dhe llogaridhënëse, ndërsa kanë ritheksuar qëndrimin e tyre për luftimin e korrupsionit dhe kërkimin e drejtësisë deri në fund. /Dragash Info/