Shënohet Dita e Shkollës në ShML “Ruzhdi Berisha” në Dragash
Shënohet Dita e Shkollës në ShML “Ruzhdi Berisha” në Dragash
Në një atmosferë festive dhe të mbushur me emocione, dje në Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” u shënua Dita e Shkollës, një ndër ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin shkollor. Këtë vit, kjo ditë u organizua në mënyrë më të ngrohtë dhe simbolike, vetëm me pjesëmarrjen e komunitetit të shkollës, duke reflektuar respekt, përkushtim dhe unitet. Aktivitetet nisën me homazhe pranë varrit të dëshmorit Ruzhdi Berisha, ku nxënësit dhe stafi i shkollës nderuan jetën dhe veprën e tij, duke rikujtuar vlerat e lirisë dhe sakrificës.
Ceremonia qendrore u mbajt më pas në sallën e aktiviteteve kulturore të shkollës. Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i shkollës vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe stafit, ndërsa u ndanë mirënjohje për nxënësit që kanë arritur sukses të shkëlqyer gjatë gjysmëvjetorit të parë.
Në vazhdim të programit, u vizitua edhe ekspozita e përgatitur nga vetë nxënësit, ku u prezantuan punime kreative dhe arritje të ndryshme, duke dëshmuar talentin dhe përkushtimin e tyre në fusha të ndryshme.
Kjo ditë shërbeu si një moment reflektimi, krenarie dhe motivimi për të gjithë, duke forcuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe suksesit në këtë institucion arsimor. — Dragash Info