Restaurimi i Valanicës dhe Mullirit në Bellobrad ngjall reagime për devijime nga standardet profesionale
Restaurimi i Valanicës dhe Mullirit në Bellobrad ngjall reagime për devijime nga standardet profesionale
Procesi i restaurimit të valanicës dhe mullirit në fshatin Bellobrad të Opojës ka nxitur reagime nga ekspertë të trashëgimisë kulturore, të cilët paralajmërojnë për mangësi serioze në zbatimin e këtij projekti.

Sipas një vlerësimi profesional nga Dr. sc. Muharrem Qafleshi, restaurimi i objekteve të trashëgimisë nuk duhet të trajtohet si një proces i thjeshtë ndërtimi apo rinovimi, por si një ndërhyrje shkencore që synon ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave historike. Ai thekson se çdo devijim nga këto parime mund të çojë në humbjen e pakthyeshme të identitetit të objektit.

Në reagimin e tij, Qafleshi evidenton se në rastin konkret të Bellobradit janë përdorur materiale të papërshtatshme si guri dhe çimentoja në pjesë kyçe të funksionimit të valanicës dhe mullirit, të cilat tradicionalisht janë ndërtuar nga druri. Kjo, sipas tij, bie ndesh me standardet ndërkombëtare të restaurimit dhe parimin bazë të ruajtjes së autenticitetit.

Ai gjithashtu thekson mungesën e ndërhyrjeve minimale funksionale që do të përmirësonin përdorshmërinë e objektit pa cenuar vlerat e tij historike, duke përmendur si shembull hyrjen e ulët të objektit, e cila mbetet problem për vizitorët. Megjithatë, si një element pozitiv në këtë proces përmendet mbulimi i kulmit me rrasa guri, që është në përputhje me traditën ndërtimore të zonës. Eksperti bën thirrje për reflektim institucional dhe profesional, duke theksuar se restaurimi duhet të realizohet në përputhje me parimet ndërkombëtare, përfshirë ruajtjen e autenticitetit, ndërhyrjen minimale dhe përdorimin e materialeve origjinale. Rasti i Bellobradit, sipas tij, duhet të shërbejë si një alarm për mënyrën se si trajtohet trashëgimia kulturore në vend, pasi rrezikohet jo vetëm dëmtimi i objekteve, por edhe humbja e kujtesës historike dhe identitetit lokal. — Dragash Info