Qytetarët e Sharrit prej rreth dy muajsh pa shërbime laboratorike, reagon Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Sharr
Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Sharr ka reaguar lidhur me mungesën e shërbimeve laboratorike në QKMF “Adem Berisha” dhe Ambulancat e Mjekësisë Familjare (AMF), duke e cilësuar situatën si pasojë të papërgjegjësisë institucionale. Sipas reagimit, qytetarët e Komunës së Sharrit tash e rreth dy muaj nuk po mund të kryejnë analiza laboratorike në institucionet publike shëndetësore për shkak të mungesës së reagentëve. Si pasojë, ata po detyrohen t’i drejtohen laboratorëve privatë, duke përballuar kosto shtesë për shërbime që, sipas tyre, duhet të ofrohen falas. LVV – Qendra Sharr thekson se ky problem nuk është i ri, por është përsëritur edhe më herët, duke ngritur shqetësime për mungesë planifikimi dhe menaxhimi në sektorin e shëndetësisë. Në reagim kërkohet nga Drejtoria Komunale e Shëndetësisë dhe menaxhmenti i QKMF-së që të japin një sqarim publik mbi arsyet e mungesës së reagentëve, të bëjnë të ditur afatin e rikthimit të shërbimeve laboratorike dhe të ndërmarrin masa që situata të mos përsëritet. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra Sharr, qytetarët meritojnë shërbime shëndetësore cilësore, të pandërprera dhe dinjitoze, ndërsa kujdesi për shëndetin e tyre është detyrim institucional. /Dragash Info/