“Prapa Ekranit” në Dragash: Forum-teatri që sfidon abuzimin online dhe shtypjen e grave
“Prapa Ekranit” në Dragash: Forum-teatri që sfidon abuzimin online dhe shtypjen e grave
Më 22 prill 2026, në ambientet e ShML “Ruzhdi Berisha”në Dragash, u prezantua shfaqja forum-teatër “Prapa Ekranit”, një produksion i realizuar me dramaturgji dhe regji nga Zana Hoxha, që trajton tema të ndjeshme si dhuna psikologjike, kontrolli emocional dhe ndikimi i diskurseve online në jetën e të rinjve. Kjo shfaqje, e ndërtuar mbi metodën e forum-teatrit, e zhvendosi publikun nga një rol pasiv në një pjesëmarrës aktiv, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe ndërveprimi mbi realitete që shpesh mbeten të heshtura. Përmes një rrëfimi të fokusuar në marrëdhëniet mes nxënësve dhe profesoreshës së tyre, u trajtuan tensionet sociale, ndikimi i “manosferës” dhe format e fshehta të pushtetit që manifestohen edhe në hapësirat digjitale. Reagimet e nxënësve dëshmuan ndikimin e fuqishëm të shfaqjes. Njëra prej tyre u shpreh se tema ishte shumë e qëlluar dhe e ndjeshme për moshën e tyre, ndërsa performanca e aktorëve arriti të ngjallë emocione të forta, deri në irritim të audiencës—një tregues i fuqisë së interpretimit dhe mesazhit të përcjellë. Një tjetër nxënëse theksoi se shfaqja reflekton realitete të përjetuara edhe në rrethin familjar, duke nënvizuar se fenomenet e trajtuara nuk janë të largëta, por pjesë e përditshmërisë. Kjo e bën shfaqjen jo vetëm një akt artistik, por edhe një pasqyrë të problemeve sociale që kërkojnë adresim të drejtpërdrejtë. Personazhet si Ardi dhe Krenari, që mishërojnë manipulimin emocional të maskuar si kujdes apo dashuri, si dhe figura e profesoreshës Drita, e cila përfaqëson përjetimin e dhunës së vazhdueshme, sollën në skenë histori që prekin realitetin e shumë individëve. Në këtë produksion u dalluan interpretimet e aktorëve si Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi, të cilët ndërtuan një atmosferë të fuqishme emocionale dhe provokuese për publikun. Shfaqja u organizua nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, me mbështetjen e Kosova Women’s Network dhe East-West Management Institute, duke dëshmuar se arti i angazhuar mbetet një mjet i rëndësishëm për ndërgjegjësim dhe transformim shoqëror. “Prapa Ekranit” vjen si një thirrje e qartë për të parë përtej realitetit virtual dhe për të reflektuar mbi ndikimin real që ai ka në marrëdhëniet dhe shoqërinë tonë. — Dragash Info