Lokale

PDK Dragash kritikon ashpër qeverisjen komunale dhe kërkon hetim nga Prokuroria

01.07.2026. 6 min čitanja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Dragash, ka reaguar me një komunikatë për media, duke shprehur shqetësim për organizimin e Takimit të Parë Publik me Qytetarë, në të cilin kryetari i Komunës raportoi për punën gjashtëmujore të ekzekutivit lokal.   Sipas PDK-së, takimi nuk ka reflektuar pjesëmarrje reale të qytetarëve, duke pretenduar se në sallë ishin të pranishëm vetëm një numër i vogël qytetarësh, ndërsa pjesa më e madhe e pjesëmarrësve ishin zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të administratës.   Në komunikatë, dega e PDK-së vlerëson se përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse po mbetet vetëm formale dhe se një situatë e ngjashme, sipas saj, është përsëritur edhe gjatë dëgjimeve buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore, ku pretendon se propozimet e qytetarëve nuk janë reflektuar në dokumentet përfundimtare.   PDK gjithashtu ngre pretendime për mungesë transparence në menaxhimin e fondeve dhe pronës publike, favorizim në projekte publike, klientelizëm politik dhe shpërndarje selektive të buxhetit. Në reagim përmendet edhe partneri i koalicionit qeverisës, Jedinstvena Goranska Partija (JGP), për të cilin thuhet se ka shprehur publikisht shqetësime lidhur me keqpërdorimin e fondeve dhe mungesën e transparencës.   Në fund të komunikatës, PDK – Dega në Dragash i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura lidhur me pretendimet për keqpërdorim të parasë publike, klientelizëm politik, blerje votash dhe përfitime të paligjshme.   Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të PDK-së – Dega Dragash:   Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Dragash shpreh shqetësim për mënyrën skandaloze se si u organizua i ashtuquajturi Takim i Parë Publik me Qytetarë, ku kryetari i Komunës raportoi për punën gjashtëmujore të ekzekutivit lokal.   Edhe pse në mënyrë formale u paraqitën aktivitetet e ekzekutivit dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje, realiteti në sallë e demaskoi plotësisht këtë propagandë politike.   Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Dragash shpreh shqetësim serioz për mënyrën skandaloze dhe krejtësisht të dështuar të organizimit të të ashtuquajturit Takim i Parë Publik me Qytetarë. Pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur si proces transparent dhe gjithëpërfshirës, realiteti në sallë e demaskoi plotësisht këtë propagandë politike. Nga mbi 28,000 banorë rezidentë sa ka komuna, në sallë nuk ishin as 8 qytetarë, ndërsa pjesa tjetër e të pranishmëve ishin zyrtarë komunalë dhe struktura të administratës së pushtetit. Kjo tregon qartë se “pjesëmarrja qytetare” për këtë qeverisje është vetëm dekor politik dhe jo proces real demokratik. Përfshirja e qytetarëve nuk matet me raporte dhe deklarata boshe, por me ndikimin real të tyre në vendimmarrje – gjë që në këtë komunë mungon tërësisht. E njëjta praktikë e dështuar është përsëritur edhe në dëgjimet buxhetore për Kornizën Afatmesme Buxhetore, ku propozimet e qytetarëve janë injoruar sistematikisht ose janë përdorur vetëm për formalitet, pa asnjë reflektim në dokumentet përfundimtare. Kjo dëshmon se kjo qeverisje lokale nuk udhëhiqet nga interesi publik, por nga një rreth i mbyllur klientelist që vendimet i merr prapa dyerve të mbyllura.   PDK kërkon që kjo qasje të marrë fund menjëherë dhe që Komuna të ndalojë manipulimin e opinionit publik me raporte formale, duke garantuar pjesëmarrje reale, të lirë dhe me ndikim të qytetarëve në çdo proces vendimmarrës. Në të njëjtën kohë, PDK – Dega në Dragash ngre alarmin më të lartë politik dhe institucional për mënyrën e rrezikshme se si po qeveriset komuna, ku gjithnjë e më shumë po vërtetohet se pushteti lokal është kapur nga grupe interesi që synojnë pasurimin e një rrethi të ngushtë individësh përmes keqpërdorimit të parasë publike dhe shndërrimit të institucioneve komunale në instrument klientelist. Këto dyshime lidhen me praktika të përsëritura të favorizimit në projekte publike, mungesë totale transparence në menaxhimin e fondeve dhe pronës publike, si dhe shpërndarje selektive të buxhetit sipas lidhjeve politike dhe personale, duke ngritur edhe dyshime serioze për klientelizëm dhe blerje votash.   Shqetësimet marrin dimension edhe më serioz kur merret parasysh fakti se edhe partneri i koalicionit qeverisës, Jedinstvena Goranska Partija (JGP), ka denoncuar publikisht për keqpërdorim të fondeve e pronës publike, mashtrim, parregullsi, ushtrim të ndikimit nga persona të caktuar dhe mungesë totale transparence, duke e kulmuar pakënaqësinë e saj me bojkotimin e mbledhjes së Kuvendit Komunal, ku diskutohej Korniza Afatmesme Buxhetore. Ky është një sinjal i qartë se vetë koalicioni qeverisës është në krizë të thellë besimi dhe legjitimiteti.   Ky kryetar dhe kjo qeverisje lokale kanë dëshmuar se marrëveshjet politike vlejnë vetëm deri në momentin e marrjes së pushtetit, pas së cilës fillon qeverisja e mbyllur, arrogante dhe përjashtuese. Premtimet për transparencë dhe zhvillim janë zëvendësuar me zhgënjim, keqmenaxhim dhe dyshime serioze për abuzim me paranë publike.   PDK konsideron se kjo situatë përbën alarm institucional dhe kërkon urgjentisht nga Prokuroria e Shtetit që të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të thelluara mbi të gjitha pretendimet për keqpërdorim të parasë publike, klientelizëm politik, blerje votash dhe përfitime të paligjshme në dëm të qytetarëve të Dragashit.   Qytetarët nuk mund të mbeten peng i një pushteti që dyshohet se e ka shndërruar komunën në mekanizëm për shpërblim politik dhe ekonomik të një rrethi të ngushtë njerëzish. Çdo euro e keqpërdorur është një goditje direkte ndaj familjeve të këtij vendi, ndaj të rinjve që po detyrohen të largohen dhe ndaj çdo qytetari që kërkon zhvillim, drejtësi dhe dinjitet.   /Dragash Info/