Në Restelicë u promovua libri “Çak’r Iba” i autorit Murat Muška
Në fshatin Restelicë u mbajt promovimi i librit “Çak’r Iba”, me autor Murat Muška, duke mbledhur një numër të madh qytetarësh, dashamirës të letërsisë, si dhe përfaqësues të jetës arsimore dhe kulturore të kësaj ane. Programi i promovimit u moderua nga Fahri Çoko, ndërsa për librin folën disa personalitete të njohura, ndër ta drejtori i ShFMU në Restelicë Bajram Hodža, recensenti Veljid Hadžisin, lektori prof. dr Sadik Idrizi, leksikografi Nuhija Tairofci, si dhe Nevruz Mehmeti, i cili ka realizuar përkthimin e veprës në gjuhën shqipe. Atmosferë të veçantë krijuan edhe nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët në Restelicë, të cilët përmes një interpretimi skenik prezantuan pjesë nga libri, duke e afruar përmbajtjen më pranë publikut. Gjatë promovimit u bë e ditur se libri tashmë është përkthyer në gjuhën shqipe, ndërsa në periudhën e ardhshme pritet botimi edhe në gjuhën turke, si dhe përkthime të mundshme në gjuhë të tjera. Libri “Çak’r Iba”, i botuar në fund të vitit 2025, sjell rrëfime për njerëzit, zakonet dhe kohën që ka lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive. Përmes një rrëfimi që ndërthur elemente historike dhe emocionale, autori synon të ruajë kujtesën për segmente të rëndësishme të së kaluarës. Në përfundim, organizatorët falënderuan të pranishmit dhe theksuan rëndësinë e promovimit të vazhdueshëm të kulturës, gjuhës dhe fjalës së shkruar, veçanërisht tek gjeneratat e reja. — Dragash Info