Labinot Tahiri bën thirrje për ruajtjen e miqësisë me SHBA-në: Duhet të ngrihemi në protestë
Këngëtari dhe ish-deputeti i njohur kosovar, Labinot Tahiri, ka reaguar publikisht lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit që, sipas tij, mund të dëmtojnë miqësinë me aleatin më të rëndësishëm të vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të marrëdhënieve me SHBA-në, duke rikujtuar mbështetjen e vazhdueshme që Amerika i ka dhënë Kosovës në periudhat më të rëndësishme të historisë së saj. > “Duhet të ngrihemi në protestë ashtu siç e kemi kërkuar Amerikën para luftës, edhe tani në ruajtjen e miqësisë me Amerikën”, ka deklaruar ai. Në reagimin e tij, Tahiri ka ngritur edhe çështje që lidhen me politikat ekonomike dhe energjetike, duke pyetur pse në Kosovë vazhdojnë të qarkullojnë mallra dhe produkte nga Serbia, ndërsa, sipas tij, po refuzohen forma të caktuara të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Deklarata e tij ka nxitur diskutime në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe drejtimin e politikës së jashtme të vendit. /Dragash Info/