Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë në Kosovë stabile, por mbetemi vigjilentë
Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë në Kosovë stabile, por mbetemi vigjilentë Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Ozkan Ulutash, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë aktualisht është stabile, megjithatë ka theksuar se misioni që ai udhëheq mbetet vigjilent dhe i përgatitur për çdo zhvillim. Sipas tij, që nga incidentet serioze në veri të vendit gjatë vitit 2023, nuk është parë më i njëjti nivel i dhunës, por nevoja për kujdes dhe prani të shtuar mbetet. “KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën në mbarë Kosovën për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka deklaruar Ulutash. Ai ka shtuar se edhe situata në veri të Kosovës është aktualisht e qetë, por jo plotësisht e qëndrueshme. Sipas tij, tranzicioni i pushtetit në komunat veriore është zhvilluar pa tensione të mëdha, ndërsa roli i KFOR-it mbetet kyç në ofrimin e sigurisë dhe krijimin e hapësirës për dialog politik. Komandanti i KFOR-it ka theksuar se stabiliteti afatgjatë në Kosovë dhe rajon varet nga zgjedhja e diplomacisë në vend të dhunës, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ai bëri të ditur se KFOR-i ka rritur praninë dhe patrullimet, veçanërisht në veri, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë në Kosovë, si dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, për të siguruar koordinim dhe transparencë. Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit EULEX, KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet në vend. Ulutash ka përmendur gjithashtu se KFOR-i vazhdon të ketë prani të përhershme në Manastiri i Deçanit, si një objekt i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke theksuar se mbrojtja e këtij lokacioni mbetet përgjegjësi e këtij misioni. Ai ka përfunduar duke theksuar se angazhimi i NATO-së dhe KFOR-it ndaj paqes dhe stabilitetit në Kosovë mbetet i palëkundur. — Dragash Info