FMN alarmon për ekonominë, reagon AKB: Kosova rrezikon të mbetet ndër më të varfrat në Evropë edhe në 2030
FMN alarmon për ekonominë, reagon AKB: Kosova rrezikon të mbetet ndër më të varfrat në Evropë edhe në 2030 Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim të thellë pas parashikimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilave Kosova pritet që edhe në vitin 2030 të mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Evropë. Sipas AKB-së, këto projeksione përbëjnë një sinjal serioz për gjendjen ekonomike në vend dhe tregojnë se rritja aktuale ekonomike nuk po përkthehet në mirëqenie reale për qytetarët. Kjo organizatë thekson se ekonomia e Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në konsum dhe remitenca, ndërsa investimet produktive dhe mbështetja për bizneset vendore mbeten të pamjaftueshme. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka bërë thirrje për ndryshim urgjent të qasjes institucionale ndaj zhvillimit ekonomik. “Parashikimet e FMN-së janë një pasqyrë serioze e realitetit ekonomik në Kosovë. Pa reforma të thella dhe mbështetje të fuqishme për sektorin privat, vendi rrezikon të mbetet në fund të Evropës edhe në vitin 2030. Është koha për veprim të guximshëm dhe ndryshim të kursit ekonomik për bizneset dhe investitorët”, ka deklaruar Shahini. AKB u bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë, duke përfshirë rritjen e investimeve kapitale, mbështetjen për prodhimin vendor dhe eksportin, si dhe përmirësimin e klimës së investimeve. Sipas tyre, vetëm përmes reformave të thella strukturore dhe një orientimi më të qartë drejt zhvillimit të sektorit privat, Kosova mund të ndryshojë trajektoren aktuale dhe të shmangë skenarët pesimistë për vitet në vijim. — Dragash Info