Lokale

Dragashi nënshkruan marrëveshje strategjike për zhvillimin e bujqësisë moderne

10.07.2026. 2 min čitanja

width= width= width= Komuna e Dragashit ka nënshkruar një Marrëveshje të Partneritetit Strategjik me kompaninë Count On Crops LLC, me synim zhvillimin e bujqësisë moderne dhe krijimin e mundësive të reja për investime në këtë sektor.   Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili ka njoftuar se në takim morën pjesë përfaqësuesi i kompanisë Count On Crops LLC, Fazal Muqeem, si dhe presidenti i Dhomës së Tregtisë Kosovë–Malajzi (KMCC), Përparim Kryeziu.   Sipas Xheladinit, marrëveshja krijon bazën për një bashkëpunim afatgjatë në zhvillimin e bujqësisë përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të serave, fuqizimit të fermerëve, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe krijimit të mundësive për investime dhe qasje në tregjet vendore e ndërkombëtare.   Ai ka bërë të ditur se synimi është që Dragashi të shndërrohet në një model të zhvillimit të qëndrueshëm rural, duke mbështetur fermerët me njohuri, inovacion dhe mundësi të reja për rritjen e prodhimit dhe të të ardhurave.   Në kuadër të bashkëpunimit parashihen edhe kultivimi në sera, krijimi i fermave demonstrative, organizimi i trajnimeve profesionale, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.   Kryetari Xheladini ka theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje strategjike bashkëpunimi, e cila nuk krijon obligime financiare për Komunën e Dragashit, ndërsa çdo projekt konkret investues do të realizohet përmes marrëveshjeve të veçanta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.   Në fund, ai ka falënderuar përfaqësuesit e kompanisë Count On Crops LLC dhe partnerët e tjerë për besimin dhe gatishmërinë për të investuar në potencialin bujqësor të Dragashit, duke theksuar se komuna mbetet e përkushtuar që partneritete të tilla t’i shndërrojë në përfitime konkrete për fermerët, të rinjtë dhe zhvillimin ekonomik të zonës.