Diplomacia nën Gërvallën: Auditimi zbulon pagesa prej 300 euro për orë nga Ambasada e Kosovës në Berlin
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar parregullsi në menaxhimin e kontratave dhe pagesave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), gjatë periudhës kur ky institucion udhëhiqej nga Donika Gërvalla. Sipas raportit të auditimit, Ambasada e Kosovës në Berlin kishte lidhur një marrëveshje për shërbime të këshillimit dhe përfaqësimit ligjor me një operator ekonomik, me tarifë prej 300 euro për orë pune, ndërsa vlera totale e pagesave arriti në mbi 39 mijë euro. Auditorët kanë konstatuar se, pavarësisht ekzekutimit të pagesave, nuk janë ofruar dëshmi të mjaftueshme që vërtetojnë kryerjen reale të shërbimeve të faturuara. Në raport përmenden mungesa e evidencave si fletë-oraret e detajuara (time-sheets) apo dokumente të tjera që dëshmojnë punën e realizuar. Po ashtu, ZKA ka gjetur se misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, në disa raste, nuk kanë respektuar Udhëzimin e Prokurimit për Misione. Sipas auditorit, parregullsitë lidhen edhe me mungesën e emërimit të menaxherit të kontratës dhe mungesën e një procesi formal për pranimin e shërbimeve, duke rritur rrezikun për pagesa pa verifikim të plotë të punës së kryer. Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit rekomandon forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes në misionet diplomatike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në përdorimin e fondeve publike. /Dragash Info/