Botë

Daniel Serwer: Akuzat bazë për Gjykatën Speciale janë të pavërteta, kam gabuar që e mbështeta

10.06.2026. 2 min čitanja

  Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka deklaruar se akuzat që shërbyen si bazë për krijimin e Gjykatës Speciale, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, kanë rezultuar të pavërteta. Në një deklarim publik, Serwer u shpreh se ndihet i zhgënjyer me mënyrën se si është zhvilluar procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pranoi se ka gabuar kur e kishte mbështetur themelimin e kësaj gjykate. “Akuzat për trafikim organesh, të cilat ishin baza për krijimin e këtij tribunali, janë të pavërteta”, ka thënë Serwer, duke shtuar se i duket diskreditues fakti që gjykata ka vazhduar me akuza të tjera, ndërsa arsyeja kryesore e krijimit të saj ishte raporti i ish-senatorit zviceran Dick Marty. Ai theksoi se kishte mbështetur Gjykatën Speciale duke besuar se akuzat do të verifikoheshin, por tani konsideron se procesi ka rezultuar i padrejtë. “Kam bërë një gabim dhe e kam thënë qartë se kam gabuar”, u shpreh Serwer, duke shtuar se mbi 200 milionë euro janë shpenzuar për një proces që, sipas tij, “duket krejtësisht i padrejtë”. Serwer kritikoi gjithashtu kohëzgjatjen e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar të padrejtë mbajtjen e tyre në paraburgim për pesë vjet para një vendimi përfundimtar. Duke folur për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ai tha se e njeh që nga periudha menjëherë pas luftës dhe se nuk beson që Thaçi kishte autoritet komandues mbi UÇK-në në mënyrën që përshkruhet në aktakuzë. Sipas Serwerit, një numër dëshmitarësh amerikanë gjatë procesit gjyqësor kanë paraqitur argumente që mbështesin këtë qëndrim.