Lokale

Manipulimet serbe me Gorën përmes librit “Gora i Goranci”

10.06.2026. 3 min čitanja

width=

Shkruan: Muharrem Qafleshi

  Në vitin 1999, në Beograd u botua libri “Gora i Goranci” i autorit Behadin Ahmetoviç, një figurë e njohur për qëndrimet e tij pro-serbe dhe antishqiptare.   Edhe pse paraqitet si një vepër me karakter shkencor, libri është kritikuar nga studiues dhe njohës të çështjeve identitare në Gorë për përmbajtjen e tij të mbështetur kryesisht në narrativa politike dhe propagandistike, më shumë sesa në analiza të mirëfillta akademike.   Në këtë botim, Ahmetoviç përpiqet ta paraqesë Gorën si një hapësirë me identitet ekskluzivisht sllav dhe serb, duke u mbështetur kryesisht në autorë serbë dhe burime historike të diskutueshme. Traditat, kultura dhe procesi i islamizimit të banorëve të Gorës interpretohen në funksion të tezave politike serbe, ndërsa minimizohen lidhjet historike, kulturore dhe shoqërore të kësaj treve me shqiptarët.   Një nga qëllimet kryesore që reflektohet në përmbajtjen e librit është paraqitja e Gorës si një “zonë tampon” ndërmjet shqiptarëve dhe Serbisë, duke tentuar ta afrojë identitetin e goranëve me atë serb. Në këtë kontekst përsëriten pretendime për një proces të ashtuquajtur “albanizimi” të popullsisë së Gorës dhe për ruajtjen e një identiteti të veçantë sllav, pa ofruar argumente bindëse shkencore që do t’i mbështesnin këto teza.   Pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga të dhëna statistikore, lista emrash, përshkrime institucionesh, citime të autorëve serbë dhe materiale të botuara më herët në shtypin serb. Për këtë arsye, kritikët vlerësojnë se libri shërben më shumë si instrument i propagandës politike serbe sesa si një studim serioz historik apo etnografik.   Me 186 faqe dhe i botuar në alfabetin cirilik, “Gora i Goranci” mbetet një shembull i përpjekjeve për instrumentalizimin e çështjes së identitetit të goranëve në funksion të politikave shtetërore serbe dhe të narrativave që synojnë të ndikojnë në perceptimin e historisë dhe përkatësisë së kësaj treve.   Po ashtu, vlen të theksohet se gjatë kohës kur mbante poste të rëndësishme politike në komunë dhe drejtonte ndërmarrjen “Sharrprodhimi”, Behadin Ahmetoviçi gëzonte mbështetjen edhe të disa bashkëpunëtorëve shqiptarë. Sipas kritikëve të tij, këta bashkëpunëtorë nuk kundërshtonin qëndrimet dhe veprimet e tij, duke i dhënë në mënyrë të tërthortë mbështetje politikave dhe narrativave që ai promovonte.   Shënim: Ky autorial përfaqëson pikëpamjet dhe analizën e autorit. Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet editoriale të redaksisë. width= /Dragash Info/