Brezne: Riparohet defekti në rrjetin e ujësjellësit, dyshohet për dëmtim të qëllimshëm
Kompania Alfa Ing ka njoftuar se ka identifikuar dhe riparuar defektin në rrjetin që furnizon me ujë të pijshëm fshatin Brezne. Sipas personit përgjegjës të kompanisë, ekzistojnë dyshime se dëmtimi është shkaktuar qëllimisht nga persona që kanë njohuri për funksionimin e sistemit të ujësjellësit. Sipas pretendimeve, disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme është dëmtuar sistemi për rregullimin e shtypjes së ujit, gjë që ka shkaktuar derdhjen e një sasie të konsiderueshme të ujit. Si pasojë e humbjes së shtypjes në rrjet, rezervuari që furnizon fshatin Brezne nuk ka arritur të sigurojë sasinë e nevojshme të ujit për furnizim normal të banorëve. Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili ka bërë të ditur se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve lokale. Autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e rastit dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme nëse vërtetohet se dëmtimi ka qenë i qëllimshëm.
/Dragash Info/