Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Artan Loshaj, kundërshton ndërtimin e deponisë së mbeturinave në fshatin e tij
Asambleisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Artan Loshaj, ka reaguar publikisht lidhur me informacionet se së shpejti pritet të nisë ndërtimi i një deponie të mbeturinave të ngurta në fshatin e tij. Sipas Loshajt, këtë çështje ai e ka ngritur edhe në një seancë të Kuvendit Komunal, por, siç thotë, nuk ka marrë përgjigje nga kryetari i komunës. Për këtë arsye, ai ka vendosur t’i informojë banorët dhe t’i ftojë ata të organizohen për ta kundërshtuar projektin. Loshaj vlerëson se ndërtimi i deponisë do të sillte pasoja të shumta për fshatin, duke përmendur dëmtimin e rrugës nga qarkullimi i kamionëve me ngarkesa të rënda, rritjen e rrezikut të aksidenteve në segmentin rrugor nga Ura e Haxhi Musës deri te Lapidari, si dhe cenimin e sigurisë së banorëve, veçanërisht të nxënësve që e përdorin këtë rrugë çdo ditë. Ai gjithashtu shpreh shqetësimin se afërsia e deponisë me zonën e banuar mund të ndikojë negativisht në mjedis dhe në cilësinë e jetës së banorëve. Në reagimin e tij, asambleisti i PDK-së u ka bërë thirrje banorëve të bashkohen në nënshkrimin e një peticioni sa më masiv për ta kundërshtuar projektin. Loshaj ka bërë të ditur se bashkë me reagimin aktual ka publikuar edhe qëndrimin e tij të vitit të kaluar, si dhe reagimin e paraqitur në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, duke theksuar se kundërshtimi i tij ndaj këtij projekti ka qenë i vazhdueshëm. /Dragash Info/