Lokale

Alarm në Shëndetësinë e Prizrenit: Tërhiqen rreth 2 milionë euro nga buxheti, paralajmërohen pasoja në shërbime

28.04.2026. 2 min čitanja

  Prizren — Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit po përballet me një situatë serioze financiare, pas tërheqjes së rreth 2 milionë eurove nga buxheti përmes procedurave përmbarimore. Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar drejtori i shëndetësisë, Sylejman Baxhaku, i cili e ka cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme. Sipas tij, për herë të parë janë tërhequr mjete në vlerë prej 1 milion euro nga kategoria “Mallëra dhe Shërbime”, të cilat kanë qenë të destinuara për furnizime bazike dhe funksionimin normal të institucioneve shëndetësore. “Kjo nuk është thjesht një çështje administrative apo financiare – kjo është një goditje direkte ndaj shërbimeve jetike për qytetarët”, ka deklaruar Baxhaku. Ai ka theksuar se çdo mjet buxhetor në këtë sektor është i dedikuar për barna, pajisje dhe kujdes për pacientët, ndërsa ndërhyrje të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm të sistemit shëndetësor. Sipas Drejtorisë së Shëndetësisë, pasojat tashmë janë të pashmangshme dhe pritet të reflektohen në kufizim të shërbimeve, mungesë furnizimesh dhe vështirësi serioze në trajtimin e pacientëve. Zyrtarët bëjnë thirrje për transparencë dhe informim të qytetarëve, duke theksuar se kjo situatë nuk mund të kalojë pa ndikim në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. — Dragash Info