Abdixhiku nga Dragashi: Bashkimi i së djathtës në LDK është domosdoshmëri e kohës
Abdixhiku nga Dragashi: Bashkimi i së djathtës në LDK është domosdoshmëri e kohës
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar dje në Dragash, ku zhvilloi një takim me veprimtarë lokalë të partisë, të cilët i cilësoi si “të pafjalë, por punëtorë të mëdhenj”. Në një mesazh publik pas vizitës, Abdixhiku theksoi se bashkimi i së djathtës brenda LDK-së është një domosdoshmëri e kohës dhe një mundësi që nuk duhet humbur, sidomos në një moment që ai e konsideron kritik për vendin. “Është një mundësi që s’kapërcehet… nuk do ta shpërdorojmë – bashkimi do të ndodhë,” u shpreh ai, duke theksuar se ky proces synon ndërtimin e një alternative serioze politike për qytetarët. Sipas tij, kjo alternativë duhet të jetë në përputhje me kërkesat e kohës dhe pritjet e qytetarëve, duke i dhënë fund një politike që fokusohet në interesa personale dhe jo në përfaqësim të mirëfilltë publik. “Këtu merr fund politika e funksionarëve që pyesin ‘ku jam unë?’, e jo ‘çfarë përfaqësoj për popullin?’,” theksoi Abdixhiku. Ai shtoi se LDK mbetet një vlerë dhe besim për qytetarët, e jo një mjet për përfitime personale, duke shprehur optimizëm për zhvillimet e ardhshme politike. Vizita në Dragash vjen në kuadër të angazhimeve të liderit të LDK-së për riorganizim të brendshëm dhe forcim të strukturave partiake në nivel lokal. — Dragash Info