Lokale

NUK MJAFTON TË DËNOHEN KOMENTET – PYETJA ËSHTË KUSH HESHTI ME VITE NDËRSA QYTETARËT MBETËN PA SIGURI

02.07.2026. 6 min čitanja

width= Ish-asambleistja e koalicionit VAKAT në Kuvendin Komunal të Dragashit, Zinaida Elmazi, ka reaguar pas vrasjes së imamit Gazmend Tahirovci, duke kritikuar reagimin publik të deputetes Duda Balje. Sipas saj, nuk mjafton të dënohen komentet e urrejtjes në rrjetet sociale, por duhet kërkuar përgjegjësi politike për mungesën e sigurisë dhe mosveprimin institucional ndër vite.   Në reagimin e saj të plotë, Elmazi shkruan:   “Nuk mjafton të zgrozitemi nga komentet, pyetja është kush ka heshtur me vite ndërsa qytetarët mbetën pa siguri.   Roli i një përfaqësuesi politik nuk është që, në momentet e dhimbjes kolektive dhe tragjedisë, të kërkojë në rrjetet sociale komentet më primitive të urrejtësve anonimë dhe mbi to të ndërtojë paraqitjen e vet publike. Detyra e tij është shumë më serioze: të punojë prej vitesh që shoqëria të mos bëhet një hapësirë ku kërcënimet, dhuna, frika, urrejtja dhe neglizhenca institucionale konsiderohen gjendje normale e jetës.   Prandaj problemi nuk janë vetëm komentet e neveritshme, islamofobe dhe çnjerëzore nën lajmin për vrasjen brutale të imamit Gazmend Tahirovci. Problem është edhe refleksi politik që këto komente të shndërrohen në shkak për vetëpromovim, ndërsa njëkohësisht heshten pyetjet shumë më të rëndësishme: siguria e qytetarëve, kallëzimet e injoruara në polici, raporti i institucioneve ndaj paralajmërimeve të vazhdueshme të qytetarëve dhe ambienti ku jetojmë, i cili prej vitesh është lënë në mëshirë të neglizhencës, papërgjegjësisë dhe degradimit institucional.   Duda Balje sot dëshiron të paraqitet si zëri i arsyes, mbrojtëse e komunitetit dhe autoritet moral që dënon urrejtjen dhe islamofobinë. Por, kur hiqet fasada e kësaj paraqitjeje publike, mbetet një pyetje shumë më e rëndësishme: ku ishte kjo energji politike gjatë gjithë këtyre viteve, kur qytetarët jetonin në pasiguri, të lënë pas dore dhe pa besim te institucionet?   Ku ishte kur njerëzit raportonin probleme, paralajmëronin për tensione dhe prisnin që shteti t’i mbronte para se tragjedia të trokiste në derë? Ku ishte kur duhej të flitej vazhdimisht për sigurinë e njerëzve në zonat që prej vitesh trajtohen si periferi e shtetit – mjaftueshëm të rëndësishme për vota, por jo për mbrojtje serioze institucionale?   Kredibiliteti politik nuk fitohet duke u bërë komentues moral pas tragjedisë. Ai fitohet kur problemet njihen me kohë, kur kërkohet përgjegjësi nga policia për kallëzimet që mbesin pa epilog, kur ngrihet zëri për sigurinë e qytetarëve dhe kur nuk pranohet që frika, kërcënimet dhe ndjenja e pambrojtjes të shtyhen nën qilim deri në momentin kur ndodh tragjedia.   Sot është më e lehta të dënohen komentet. Këtë mund ta bëjë secili. Por ajo që nuk mund ta bëjë secili është të marrë përgjegjësi për ambientin ku qytetarët nuk besojnë më se institucionet mund t’i mbrojnë. Për ambientin ku problemet raportohen, por nuk trajtohen seriozisht; ku paralajmërimet e qytetarëve shihen si zhurmë kalimtare dhe jo si alarm që sistemi duhet të reagojë para se të jetë vonë.   Prandaj reagime të tilla tingëllojnë boshe dhe hipokrite, sepse vijnë nga njerëz që prej vitesh janë pjesë e sistemit, gëzojnë privilegjet e tij, ndërsa sillen sikur janë vetëm vëzhgues të paaftësisë së tij. Nëse keni më shumë se një dekadë në institucione, nuk mund të paraqiteni pas çdo tragjedie si komentues moral pa dhënë llogari për rezultatin e punës suaj politike.   Nuk mjafton të thuash se je i tronditur. Të tronditur janë prindërit që humbën djalin. Të tronditura janë fëmijët që mbetën pa baba. I tronditur është i gjithë komuniteti që vajton një njeri. Por nga politikanët nuk kërkohet të jenë vetëm të tronditur – prej tyre kërkohet përgjegjësi.   Është veçanërisht zhgënjyese kur krijohet përshtypja e angazhimit politik duke u servirur publikut komentet e disa individëve anonimë, ndërsa lihet në hije thelbi i problemit: qytetarët prej vitesh ndihen të pambrojtur, shumë raste raportohen në polici pa vendosmëri për t’u hetuar, ndërsa për sigurinë flitet vetëm pasi humbet një jetë.   Siguria e qytetarëve nuk është temë për reagime të vonuara, por detyrim themelor i çdo pushteti dhe çdo përfaqësuesi politik. Nëse nuk është insistuar me vite që policia, prokuroria dhe institucionet t’i trajtojnë seriozisht raportimet e qytetarëve dhe të mbrojnë njerëzit, atëherë çdo pozë morale pas tragjedisë është vetëm përpjekje për ta mbuluar boshllëkun politik me emocione dhe zhurmë mediatike.   Qytetarët nuk i kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre që pas një krimi t’u lexojnë komentet në Facebook. I kanë zgjedhur që të jenë zëri i tyre kur vendoset për sigurinë, dinjitetin dhe të ardhmen e komunitetit; të mos heshtin kur qytetarët raportojnë probleme; të ushtrojnë presion mbi institucionet dhe të paralajmërojnë para se tragjedia të bëhet lajm.   Prandaj sot nuk mjafton të pyesim kush shkroi një koment monstruoz. Po aq e rëndësishme është të pyesim kush mori për vite mandat, pagë dhe legjitimitet politik, por nuk bëri mjaftueshëm që qytetarët të ndiheshin të sigurt në shtetin e tyre.   Për këtë arsye, ky reagim nuk duket si shprehje e përgjegjësisë politike, por si përpjekje për ta shndërruar tragjedinë në skenë të marketingut politik. Problemi nuk është se u dënua urrejtja – kjo ishte minimumi që duhej bërë. Problemi është se nuk u tregua e njëjta këmbëngulje dhe zë i fuqishëm atëherë kur duhej mbrojtur populli nga padrejtësia, pasiguria dhe indiferenca institucionale që prej kohësh ka pushuar së qeni përjashtim dhe është bërë mënyrë jetese.   “Nuk mjafton të zgrozitemi nga komentet, pyetja është kush ka heshtur me vite ndërsa qytetarët mbetën pa siguri.”  — Zinaida Elmazi, ish-asambleiste e koalicionit VAKAT në Kuvendin Komunal të Dragashit.   /Dragash Info/