Veljid Hadzisin ngre akuza për keqpërdorime në sektorin e arsimit në Dragash
Dragash – Ish-asamblisti i VAKAT-it dhe aktualisht mësimdhënës në shkollën e Restelicës, Veljid Hadzisin, ka reaguar publikisht duke ngritur akuza ndaj drejtoratit të arsimit dhe kryetarit të Komunës së Dragashit për, siç thotë ai, parregullsi në sektorin e arsimit. Në reagimin e tij, Hadzisin pretendon se një mësimdhënës i muzikës në shkollën e Restelicës është mbajtur në listën e pagave për disa muaj radhazi pa u paraqitur fare në vendin e punës, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë disiplinore dhe institucionale. Ai gjithashtu ka akuzuar institucionet komunale për anulimin e një konkursi vetëm për shkollën e Restelicës, ndërsa sipas tij, në të njëjtën periudhë janë punësuar dy mësimdhënës në shkollën e Krushevës. Sipas Hadzisinit, këto veprime janë bërë në mënyrë të pabarabartë dhe, siç pretendon ai, në favor të shkollës paralele në Restelicë dhe personave të caktuar, duke përmendur edhe Adem Hoxhën. Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Drejtoria Komunale e Arsimit apo nga Komuna e Dragashit lidhur me këto pretendime. /Dragash Info/