Prizren: Kërkohet paraburgim për anëtarin e komisionit zgjedhor, dyshohet se fshehu gjashtë fletëvotime
Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”. Sipas Prokurorisë, i dyshuari A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, dyshohet se më 7 qershor 2026, gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit, ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara, pasi paraprakisht i kishte shkëputur nga blloku i fletëvotimeve. Sipas organit të akuzës, veprimet e dyshuara janë kryer me qëllim të pengimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor dhe cenimit të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve. Prokuroria ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse. /Dragash Info/