Thirrje publike për OJQ-të në Dragash për mbështetje në fushën e kulturës
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Dragashit ka shpallur thirrje publike për organizatat jo-qeveritare (OJQ) që veprojnë në këtë komunë, për aplikim në mbështetje financiare në fushën e kulturës. Sipas njoftimit zyrtar, kjo thirrje përfshin projekte që lidhen me organizimin e manifestimeve kulturore, ruajtjen e folklorit, promovimin e vlerave kulturore si dhe pjesëmarrjen në festivale brenda dhe jashtë Kosovës. Po ashtu, pjesë e kësaj thirrjeje është edhe organizimi i manifestimit tradicional “Sofra Opojane e Ymer Prizrenit”. Vlerësimi i projekteve do të bëhet nga një komision profesional prej pesë anëtarësh, bazuar në kritere të përcaktuara si: përmbushja e kushteve administrative, përputhja me objektivat e thirrjes, kapacitetet organizative, cilësia dhe origjinaliteti i projektit, si dhe ndikimi në afirmimin e komunës së Dragashit. OJQ-të e interesuara duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh, përfshirë formularin e aplikimit, buxhetin e projektit, dëshmi për mungesë të financimit të dyfishtë, dokumente identifikimi dhe dëshmi për përmbushjen e obligimeve tatimore. Po ashtu kërkohet transparencë në menaxhimin financiar dhe përmbushja e detyrimeve kontraktuale ndaj institucioneve publike. Afati për aplikim është nga data 27 prill 2026 deri më 19 maj 2026, ndërsa aplikimet duhet të dorëzohen në formë fizike në Zyrën e Protokollit në Komunën e Dragashit. Nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport bëhet e ditur se projektet që nuk i plotësojnë kriteret apo nuk kanë dokumentacionin e plotë nuk do të merren parasysh gjatë procesit të vlerësimit. Për informata shtesë, të interesuarit mund të drejtohen pranë Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Dragashit.
— Dragash Info