Studentët e Prizrenit në mbështetje të protestës për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Studentët e Prizrenit i janë bashkuar protestës së organizuar para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut, në shenjë solidarizimi me studentët shqiptarë që po kërkojnë respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provime dhe institucione shtetërore. Përmes një njoftimi publik, Parlamenti Studentor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë protestë përfaqëson një qëndrim të qartë kundër çdo padrejtësie që cenon të drejtat e shqiptarëve. “Një student nuk duhet të ndihet i huaj në gjuhën e tij. E drejta për t’u arsimuar, për t’u testuar dhe për t’u përfaqësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një e drejtë themelore”, thuhet në reagimin e studentëve. Sipas Parlamentit Studentor, studentët e Prizrenit qëndruan krah për krah me kolegët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të mbështetur kërkesën e tyre legjitime për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe institucionale. Në reagim theksohet gjithashtu se Prizreni, si një nga qendrat historike të shqiptarëve, do të vazhdojë të mbështesë çështjet kombëtare dhe të drejtat e studentëve shqiptarë kudo që ata ndodhen. Studentët kanë bërë të ditur se mbështetja e tyre për kolegët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë deri në respektimin e plotë të të drejtave të tyre. /Dragash Info/