Gara Tradicionale e Kuajve dhe Pehlivanëve rikthehet në Opojë më 13 Qershor
Një nga ngjarjet më të dashura dhe më të veçanta tradicionale të Opojës do të mbahet më 13 qershor, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Dragashit. Manifestimi tradicional i garave të kuajve dhe pehlivanëve do të zhvillohet duke filluar nga ora 12:00 në Mejdanin e Opojës, ku pritet pjesëmarrja e sportistëve, adhuruesve të traditës dhe qytetarëve të shumtë nga Opoja, Gora dhe vise të tjera. Ky aktivitet, i organizuar nga Komuna e Dragashit dhe Klubi i Kuajve “Opoja”, synon ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore, sportive dhe trashëgimisë së pasur opojare. Gara me kuaj dhe duelet tradicionale të pehlivanëve vazhdojnë të mbeten pjesë e rëndësishme e identitetit dhe traditës së kësaj treve. Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj feste tradicionale për të përjetuar atmosferën unike të sportit, kulturës dhe traditës shqiptare. 📅 13 Qershor 2026 🕛 Ora 12:00 📍 Mejdani i Opojës /Dragash Info/