Prizren: Arif Fazli dhuron shtëpinë e tij vakëf për Bashkësinë Islame Një akt i rëndësishëm bamirësie është shënuar s…
Prizren: Arif Fazli dhuron shtëpinë e tij vakëf për Bashkësinë Islame
Një akt i rëndësishëm bamirësie është shënuar sot në Prizren. Arif Fazli, qytetar nga ky qytet, ka dhuruar shtëpinë e tij si vakëf për Bashkësinë Islame, duke iu bashkuar traditës shekullore të vakëflënies në shërbim të komunitetit.
Sipas njoftimit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren (KBI-Prizren), objekti i dhuruar ka një sipërfaqe prej rreth 800 metra katrorë, me 182 metra katrorë truall, dhe ndodhet në lagjen Terzimahalla në Prizren. Vlera e pronës vlerësohet të arrijë deri në gjysmë milioni euro.
Në emër të KBI-Prizren, kryetari Valon ef. Ibrahimi dhe kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj shprehën falënderimet e tyre për këtë akt, duke e cilësuar dhurimin si një kontribut të çmuar për Bashkësinë Islame dhe për komunitetin në përgjithësi. Ata e uruan z. Fazli për shëndet, begati dhe suksese të mëtejme për të dhe familjen e tij.
Nga KBI-Prizren u theksua se ky nuk është akti i parë bamirës i z. Arif Fazli. Si një biznesmen i suksesshëm në Zvicër, ai ka kontribuar ndër vite në projekte të shumta humanitare dhe bamirëse, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë.
Ky veprim vlerësohet si një shembull i solidaritetit dhe përkushtimit ndaj vlerave fetare dhe shoqërore, duke forcuar rolin e vakëfit në shërbim të komunitetit.



