AVOKO organizon tryezë diskutimi për mbështetjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Dragash Në zyrat e…
AVOKO organizon tryezë diskutimi për mbështetjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Dragash
Në zyrat e organizatës AVOKO, gjatë ditës së djeshme, është mbajtur një tryezë diskutimi me përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Dragashit, profesorë, drejtorë shkollash si dhe prindër të fëmijëve të identifikuar me inteligjencë të jashtëzakonshme.
Gjatë këtij takimi u prezantua metodologjia e zbatimit të procesit të testimit, u ndanë rezultatet kryesore të arritura, si dhe u zhvillua një diskutim i hapur lidhur me nevojat, sfidat dhe mundësitë e përmirësimit të mbështetjes për këta nxënës brenda sistemit arsimor.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm institucionalë për identifikim të hershëm dhe përkrahje të vazhdueshme të fëmijëve me potencial të jashtëzakonshëm, ndërsa nga tryeza dolën rekomandime konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave, prindërve dhe institucioneve lokale.
Nga AVOKO u bë e ditur se organizata do të vazhdojë të krijojë hapësira për dialog, reflektim dhe veprim, me synim që çdo fëmijë të ketë mundësi të zhvillojë potencialin e tij të plotë.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Identifikimi dhe mbështetja e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme në Komunën e Dragashit”, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
— Dragash Info



