QKMF Dragash organizon ligjëratë për promovimin e shëndetit mendor
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash është mbajtur sot një ligjëratë informuese me temën “Promovimi i Shëndetit Mendor dhe Roli i QKMF-së në Kujdesin për Shëndetin Mendor”. Aktiviteti u realizua nga përfaqësues të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren, BSc. Aferdita Kajdomqaj, në bashkëpunim me Psikologun Klinik Afrim Batjari dhe BSc. Sevdije Rizanaj. Gjatë ligjëratës u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me promovimin e shëndetit mendor, ruajtjen dhe përmirësimin e mirëqenies psikologjike, identifikimin e hershëm të problemeve të shëndetit mendor, si dhe rolin e Kujdesit Parësor Shëndetësor në ofrimin e shërbimeve profesionale për qytetarët. Pjesëmarrësit patën mundësinë të informohen më gjerësisht për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit mendor, faktorët që ndikojnë në mirëqenien psikologjike dhe mënyrat e qasjes në shërbimet përkatëse shëndetësore. Nga QKMF Dragash u theksua përkushtimi për promovimin e shëndetit mendor dhe organizimin e aktiviteteve edukative e vetëdijësuese, me synim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të komunitetit për rëndësinë e mirëqenies psikologjike. Në fund, organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për interesimin dhe kontributin e tyre në avancimin e vetëdijes për shëndetin mendor. /Dragash Info/