Përkujtohet figura e Rexhep (Shaqir) Qukovcit – një jetë në shërbim të rendit dhe komunitetit
Përkujtohet figura e Rexhep (Shaqir) Qukovcit – një jetë në shërbim të rendit dhe komunitetit Me respekt dhe mirënjohje të thellë për kontributin e tij shumëvjeçar, kujtohet figura e Rexhep Qukovci, i cili për dekada të tëra shërbeu me përkushtim në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, veçanërisht në komunën e Dragash. I lindur më 23 mars 1947 në fshatin Cërnillë të Ferizaj, Rexhep Qukovci i përkiste brezit të parë të nxënësve që ndoqën mësimin në gjuhën shqipe në atë zonë, duke dëshmuar që herët përkushtim ndaj dijes dhe zhvillimit personal. Pas përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm ekonomik, ai nisi rrugëtimin profesional në vitin 1968, duke kryer kursin policor në Zemun. Karrierën zyrtare e filloi në vitin 1969 në Suharekë, ndërsa nga viti 1972 u transferua në Dragash, ku shërbeu për plot 27 vite. Gjatë kësaj periudhe, ai mbajti edhe pozitën e komandantit të stacionit policor në Llapushnik, duke u dalluar për profesionalizëm, disiplinë dhe qasje njerëzore ndaj qytetarëve. Pavarësisht angazhimeve të shumta, ai vazhdoi ngritjen akademike, duke përfunduar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren në degën Histori–Gjeografi. Njihej si një njohës i mirë i historisë dhe një lexues i pasionuar, duke fituar respekt të gjerë në komunitet, edhe në periudha të vështira politike. Pas pensionimit në vitin 1990, ai iu rikthye shërbimit publik menjëherë pas luftës. Në maj të vitit 2000, u bë pjesë e gjeneratës së 6-të të Policisë së Kosovës, ku kontribuoi në stacionin policor në Ferizaj, duke ndihmuar në formimin dhe mentorimin e brezave të rinj të policëve në një kohë kyçe për ndërtimin e institucioneve të sigurisë. Rexhep Qukovci u pensionua përfundimisht në vitin 2012, duke jetuar në Ferizaj pranë familjes, ku njihej si një njeri i afërt, i urtë dhe gjithmonë i buzëqeshur. Ai u nda nga jeta në mars të vitit 2025, në moshën 78-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar si shërbyes i devotshëm i ligjit dhe një figurë me vlera të larta njerëzore e kombëtare. Ky shkrim është përgatitur nga Kanun Veseli, Udhëheqës i Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, DPR – Ferizaj.
Në shenjë nderimi për kontributin e tij të veçantë, kujtimi për të mbetet i përjetshëm në mesin e atyre që e njohën dhe punuan me të. I përjetshëm qoftë kujtimi për njeriun e drejtë, të urtë e të mirë, Rexhep Qukovci! — Dragash Info