Gjendje e rëndë pranë shtatores së Xhevat Berisha në Prizren, reagon djali i heroit
Gjendje e rëndë pranë shtatores së Xhevat Berisha në Prizren, reagon djali i heroit
Prizren, 19 prill – Gjendja aktuale pranë shtatores së Heroit Xhevat Berisha në Prizren po vazhdon të ngjallë shqetësim dhe reagime nga familjarë dhe qytetarë. Sipas reagimit të djalit të heroit, Dardan Xhevat Berisha, hapësira përreth shtatores, e cila duhet të shërbejë si simbol respekti dhe kujtese, është degraduar në një zonë të parregullt parkimi për biçikleta dhe trotinetë. Për më tepër, prania e shitësve ambulantë ka zënë hapësirat përreth, duke e dëmtuar rëndë estetikën dhe funksionin e këtij vendi përkujtimor. Ai thekson se kjo situatë e bën pothuajse të pamundur për vizitorët dhe turistët që të realizojnë fotografi dinjitoze pranë shtatores, duke lënë një përshtypje negative për qytetin. “Prizreni është një nga qytetet më të vizituara nga turistë nga e gjithë bota. Kjo pamje tregon mungesë të kujdesit institucional për trashëgiminë dhe figurat tona historike,” thuhet në reagim. Familjarët dhe qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse, në mënyrë që kjo hapësirë të rikthehet në një ambient të denjë për nderimin e heronjve. “Herojtë tanë meritojnë respekt, jo neglizhencë,” përfundon reagimi. — Dragash Info