Lokale

PDK në Dragash ngre shqetësime për përbërjen e Komisionit për Planin Zhvillimor Komunal

24.04.2026. 2 min čitanja

PDK në Dragash ngre shqetësime për përbërjen e Komisionit për Planin Zhvillimor Komunal width= width= Dragash, 24 prill 2026 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dega në Dragash, ka reaguar publikisht lidhur me vendimin e Kryetarit të Komunës së Dragashit për themelimin e Komisionit për Hartimin e Planit Zhvillimor Komunal 10-vjeçar. Sipas reagimit, vendimi me nr. 02Nr.020/04-5756/26, i datës 03.04.2026, ka ngjallur shqetësime serioze për shkak të përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të këtij komisioni. PDK vlerëson se komisioni, siç është prezantuar, paraqitet i njëanshëm dhe me dominim politik, duke mos reflektuar një përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Në reagim theksohet se një proces kaq i rëndësishëm, si hartimi i një plani zhvillimor për një periudhë 10-vjeçare, kërkon përfshirje të gjerë të ekspertëve të fushave të ndryshme, profesionistëve, përfaqësuesve të komunitetit, bizneseve dhe shoqërisë civile. Sipas PDK-së, një plan i tillë nuk duhet të jetë produkt i një qasjeje të ngushtë politike, por rezultat i një procesi transparent dhe profesional. Tutje, kjo parti opozitare në Dragash ka bërë thirrje që institucionet komunale të rishqyrtojnë vendimin në fjalë dhe të sigurojnë një përfaqësim më të balancuar në këtë komision, në mënyrë që plani zhvillimor të jetë i zbatueshëm dhe në interes të të gjithë qytetarëve. PDK thekson se vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe të drejtë mund të ndërtohet një vizion i qëndrueshëm për zhvillimin afatgjatë të Komunës së Dragashit. — Dragash Info