Lokale

Organizata “Shqiptaria” reagon ndaj paradës ushtarake turke në Prizren

26.04.2026. 2 min čitanja

Organizata “Shqiptaria” reagon ndaj paradës ushtarake turke në Prizren   Organizata “Shqiptaria” ka reaguar ashpër ndaj shfaqjes së një parade ushtarake nga ushtria turke në Prizren, ku janë përdorur simbole dhe elemente që lidhen me periudhën osmane. Në reagimin e saj, kjo organizatë thekson se e konsideron Republikën e Turqisë si shtet mik dhe partner strategjik të shqiptarëve në shumë fusha, përfshirë politikën, ekonominë dhe mbrojtjen. Megjithatë, sipas tyre, miqësia mes popujve nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e simboleve që lidhen me një periudhë historike të përjetuar nga shqiptarët si pushtim dhe shtypje. “Ne e konsiderojmë Republikën e Turqisë shtet mik dhe partner strategjik të shqiptarëve në shumë fusha. Mirëpo, miqësia mes popujve nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e simboleve të një periudhe që në kujtesën historike të popullit shqiptar lidhet me pushtimin, robërimin dhe pengimin e zhvillimit kombëtar për shekuj me radhë,” thuhet në reagim. Tutje, organizata thekson se parakalimet me simbolikë osmane, përfshirë marshimet “Mehter” dhe uniformat e perandorisë osmane, nuk mund të konsiderohen si shfaqje neutrale kulturore. “Ato rikthejnë kujtesën e vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë sundimit osman dhe për këtë arsye përjetohen si provokim dhe fyerje për dinjitetin historik kombëtar,” thuhet më tej. Organizata “Shqiptaria” i ka bërë thirrje shtetit turk që në të ardhmen të shmangë organizime të tilla në trojet shqiptare, duke theksuar se veprime të këtij lloji krijojnë pakënaqësi dhe distancë emocionale mes dy popujve. “Veprime të tilla nuk i shërbejnë forcimit të miqësisë mes popujve tanë, por krijojnë largim dhe pakënaqësi,” thuhet në reagim. Në fund, organizata nënvizon se miqësia e vërtetë ndërtohet mbi respektin reciprok për historinë dhe ndjeshmëritë kombëtare, e jo mbi rikthimin simbolik të perandorive të së kaluarës. — Dragash Info