Nxënësit e ShML “Ruzhdi Berisha” përfaqësojnë Dragashin në dy Olimpiada Republikane në Prishtinë
Nxënësit e ShML “Ruzhdi Berisha” përfaqësojnë Dragashin në dy Olimpiada Republikane në Prishtinë
25.04.2026 Nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha” nga Dragashi kanë marrë pjesë sot në dy gara me rëndësi në nivel vendi, duke përfaqësuar denjësisht komunën në Olimpiadën Republikane të Kimisë dhe atë të Ekonomiksit, të mbajtura në Prishtinë. Në ambientet e Fakultetit Teknik në Prishtinë është zhvilluar Olimpiada Republikane e Kimisë, ku pjesëmarrës nga kjo shkollë ishin: Aid Mejzini, Leart Mejzini, Erza Qollopeku, Rejna Dauti, Hasna Ahmeti dhe Lavdim Sadiku. Nxënësit u shoqëruan nga koordinatori dhe mësimdhënësi i tyre, Dritan Sallahu, duke dëshmuar nivel të lartë përgatitjeje dhe seriozitet në këtë garë. Kjo pjesëmarrje vjen pas Olimpiadës Komunale të Kimisë, e mbajtur më 28 mars 2026 në ambientet e shkollës, e cila shërbeu si fazë përzgjedhëse për nivelin republikan. Ndërkohë, në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës është mbajtur edhe Olimpiada Republikane e Ekonomiksit, e organizuar nga Instituti Riinvest, ku shkollën e përfaqësuan nxënësit Edona Mustafa dhe Erdi Qafleshi, të shoqëruar nga profesori i lëndëve ekonomike, Sinan Mujaj. Në përfundim të kësaj olimpiade, nxënësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje, si dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të tyre. Rezultatet përfundimtare të të dyja garave pritet të shpallen brenda një jave. Drejtoria e shkollës ka shprehur mirënjohje për Drejtorinë Komunale të Arsimit për sigurimin e transportit, si dhe ka vlerësuar lart përfaqësimin dinjitoz dhe seriozitetin e nxënësve gjatë këtyre aktiviteteve me karakter republikan. — Dragash Info