Nxënësit e drejtimit Farmaci vizitë mësimore në barnatoren e QKMF-së në Dragash
Nxënësit e drejtimit Farmaci vizitë mësimore në barnatoren e QKMF-së në Dragash Nxënësit e klasës 10/8, drejtimi Teknik i Farmacisë në SHML “Ruzhdi Berisha” në Dragash, kanë realizuar sot një vizitë mësimore në barnatoren e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), me qëllim të njohjes nga afër me organizimin dhe funksionimin e punës në një institucion shëndetësor. Gjatë kësaj vizite praktike, nxënësit patën mundësinë të shohin nga afër mënyrën e menaxhimit të barnave, procesin e ruajtjes së tyre sipas standardeve profesionale, si dhe procedurat e përditshme që zhvillohen në një barnatore funksionale. Kjo përvojë konkrete u mundësoi atyre të kuptojnë më mirë rëndësinë e saktësisë dhe përgjegjësisë në sektorin farmaceutik. Nxënësit u pritën dhe u udhëzuan nga farmacisti Mr. ph. Ilir Jakupi, i cili njëkohësisht është edhe bashkëpunëtor profesional i shkollës për lëndët farmaceutike. Ai ndau me nxënësit përvojën e tij të gjatë në këtë fushë, duke ofruar shpjegime të detajuara dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre lidhur me praktikën e përditshme në barnatore. Kjo vizitë konsiderohet si një hap i rëndësishëm në ndërlidhjen e njohurive teorike me praktikën profesionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në përgatitjen e nxënësve për sfidat e tregut të punës në të ardhmen. Drejtoria e shkollës thekson rëndësinë e aktiviteteve të tilla, të cilat ndikojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit profesional dhe në zhvillimin e aftësive praktike të nxënësve.
— Dragash Info